Josa: Menduam për sulmin, por gabuam në mbrojtje

11/12/2015 00:00

Pas ndeshjes së fundit në grupet e Europa League, ku Skënderbeu u mund në “Elbasan Arena” nga rusët e Lokomotivës së Moskës, trajneri i korçarëve, Mirel Josa ishte i zhgënjyer me mbylljen që ekipi bëri në kupat e Europës.

Ai e cilësoi ndeshjen ndaj skuadrës ruse si pa histori, ndërsa shtoi se ekipi i tij gaboi shumë pas pësimit të golit të parë.

“Nga momenti që u goditëm patëm shumë probleme. Përgjithësisht menduam për sulmin, duke krijuar hapësira mbrapa dhe prej kësaj pësuam dy gola të tjerë. Për mendimin tim ishte një ndeshje pa histori, ku luajtëm pa mendimin e duhur. Mendova më tepër për kampionatin, mbi të gjitha në 20 minutat e fundit të lojës. Paraqitjet në Europë? Jam i kënaqur në përgjithësi për mënyrën si kemi luajtur. Sot nuk luajtëm mirë, por në ndeshjet e tjera në Rusi dhe Turqi, skuadra më dha besim se mund të bëjë më tepër në aspektin mbrojtës dhe sulmues”, tha Josa.

Për sa i përket të ardhmes së disa prej lojtarëve të Skënderbeut, të cilët kanë spikatur në ndeshjet e fundit si në kampionat ashtu edhe në Europë, Josa tha se largimi i Peter Olayinkas drejt Belgjikës është një humbje e madhe për ekipin, por do të synohet zëvendësimi i tij me blerje të reja.

“Për klubin dhe lojtarin mund të jetë diçka e mirë, por jo për mua si trajner. Duhet gjetur një lojtar për ta zëvendësuar sa më shpejt, edhe pse kemi Salihin dhe Latifin në ato role. Kemi diskutuar shumë me lojtarë të ndryshëm, por nëse do të marrim tre të tjerë, shpresojmë që njëri prej tyre të na dalë lojtar po kaq i mirë”, u shpreh trajneri i korçarëve pas ndeshjes me Lokomotivën e Moskës.

Top Channel