Ja shqiptarët që kaluan grupet e Europa League

11/12/2015 00:05

Skënderbeu arriti një sukses historik këtë sezon në kupat e Europës, duke bërë që për herë të parë një skuadër shqiptarë të luajë në grupet e Europa League.

Por në këtë kompeticion europian lojtarët e drejtuar nga trajneri Josa nuk ishin të vetmit shqiptarë që merrnin pjesë pasi lojtarë të tjerë shqiptarë morën pjesë me ekipet e tyre në fazën e grupeve të kësaj kupe. Disa u eliminuan, të tjerë vazhdojnë ëndrrën për të shkuar sa më lartë këtë sezon në Europa League.

22 gola të shënuar, vetëm 3 të pësuar dhe me pikë të plota, Napoli me të cilët luan edhe Elseid Hysaj, ka kaluar në fazën e ardhshme të Europa League-s. Sarri ka preferuar që në të shumtën e ndeshjeve të luajë me formacionin e dytë në këtë kompeticion, duke e lënë në stol Hysajn, por megjithatë në takimet ku ai ka luajtur ka dhënë maksimumin dhe tashmë kërkon të tregojë vlerat e tij të jashtëzakonshme në ndeshjet me eliminim direkt, ku me siguri do të gjejë më shumë hapësira.

Lacio u rendit e para në grupin H, pasi barazoi në ndeshjen e fundit në Francë ndaj Saint-Etienne 1-1. Gardiani i kuqezinjve, Etrit Berisha ka qenë titullar për italianët thuajse në të gjitha takimet, duke bërë paraqitje mjaft të mira.  Edhe në vazhdim ai pritet që të jetë portier i parë për bardheklatrit në këtë kupë.

Një paraqitje të jashtëzakonshme në këtë fazë të Europa League bëri Baseli i shqiptarëve Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi, Naser Aliji, si dhe Adonis Ajeti, të cilët fituan në ndeshjen e fundit ndaj Lech Poznan 0-1. Xhaka ishte njeriu i cili asistoi në golin e vetëm të takimit. Skuadra zvicerane u rendit e para në grupin I me 13 pikë, ndërsa u kualifikua edhe Fiorentina, që u rendit e dyta.

Edhe në grupin I nuk mund të mungonin shqiptarët që kualifikohen më tej. Por këtu është një trajner shqiptar që ka arritur sukses me ekipin e tij. Besnik Hasi e renditi të dytin Anderlehtin, duke fituar edhe ndeshjen e fundit 2-1 ndaj Karabakut,  me të cilët luan edhe tiranasi Ansi Agoli, që e përfundoi këtu aventurën europiane, duke u renditur në vendin e fundit me 4 pikë.

Të skualifikuar..

Edhe pse fituan në ndeshjen e fundit ndaj Dortmundit, 0-1 në Gjermani, grekët e Paok, ku aktivizohet edhe mesfushori shtatshkurtër shqiptar, Ergyes Kaçe, u renditën vetëm në vendin e tretë, duke u skualifikuar.

Libereci i Herolind Shalës e kishte gjithçka në dorë për t’u kualifikuar në ndeshjen e fundit të luajtur në shtëpi ndaj Marsejës, por francezët u treguan tepër të fortë për skuadrën çeke duke i mposhtur ata 2-3 dhe për pësojë është Marseja që do të vazhdojë më tej. Në këtë ndeshje, Shala ishte titullar, ndërsa u zëvendësua në minutën e 66.

Edhe grekët e Asteras Tripolis, me të cilët luan Vasil Shkurtaj, ish-lojtar i ekipit Shpresa të Shqipërisë, u eliminuan në fazën e grupeve.

Paraqitja e lojtarëve në grupet e Europa League në këtë sezon mund të cilësohet padyshim si tepër pozitive. Pavarësisht eliminimit të Skënderbeut, janë edhe 6 lojtarë dhe një trajneri një trajner shqiptar që janë kualifikuar për në fazën e ardhshme të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm për klube në Europë. 

Top Channel