Zvarritja e zbatimit të marrëveshjes politike të 2 qershorit dhe problemet e shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë temat, të cilat kreu i PDSH-së Menduh Thaçi i ka ngritur në Bruksel, edhe gjatë ditës së dytë të vizitës së tij.

Në takimin me raportuesin e Parlamentit Europian për Maqedoninë, Ivo Vajgl, Thaçi ka thënë se është kundër shtyrjes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, si dhe ka theksuar nevojën për një proces demokratik zgjedhor.

“Mora konfirmimin se, të 3 deputetët e Parlamentit Europian, që janë edhe raportues për Maqedoninë, do të vijnë pas Vitit të Ri për vizitë. Unë shpreha një shqetësim shumë të madh, për vonesat që kemi në implementimin e marrëveshjes së 14 korrikut, e në të njëjtën kohë kemi edhe mungesë të hapjes së dialogut për çështjet e shqiptarëve në kuadër të këtyre bisedimeve”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Thaçi është takuar edhe me kreun e PPE-së, Joseph Daul, me të cilin ka diskutuar për anëtarësimin e PDSH-së në Partitë Popullore Europiane.

“Unë shpreha dëshirën, që ne të kandidojmë dhe të bëhemi pjesë e familjes së partive popullore europiane, që përbëjnë edhe grupin më të madh politik në Europë. Mora një përgjigje pozitive. Gjithashtu biseduam edhe për shumë çështje politike aktuale në Maqedoni, si dhe për parashikimet e Partisë Demokratike Shqiptare”, tha më tej Menduh Thaçi.

Udhëheqësi i partisë opozitare PDSH ka paralajmëruar se, pas kthimit në Maqedoni do t’i njoftojë qytetarët më hollësisht për qëndrimet që ka shpalosur në Bruksel, si dhe porositë që ka marrë atje.

Top Channel