Kosovë, SHBA-Britani ngrenë alarmin për korrupsionin

10/12/2015 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i Britanisë së Madhe në Kosovë vazhdojnë të vënë theksin te niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë.

Gjatë një tryeze të Institutit të Kosovës për Drejtësi, diplomati amerikan dhe ai britanik thanë se, pa luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe pa luftimin e krimit të organizuar, Kosova do ta ketë edhe më të vështirë rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

“Javën e kaluar, Sekretari Kerry foli me Qeverinë para shtypit, por dhe me disa të rinj kosovarë. Ai nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të ekonomisë së Kosovës dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë e këtij vendi. Ai këmbënguli, që kjo nuk mund të ndodhë pa përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Një e ardhme e fuqishme për Kosovën do të kërkojë, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të këmbëngulin, që të gjitha rastet korruptive të hetohen, të gjykohen dhe kushdo që gjendet fajtor për keqpërdorim e besimin e publikut, të dalë para drejtësisë”, tha Greg Delaëie, ambasador i SHBA në Kosovë.

“Në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, organet e drejtësisë nuk duhet dhe nuk mund të guxojnë në asnjë mënyrë të lejojnë të ketë zbatim të drejtësisë me përzgjedhje. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kjo po ndodh. Kosova nuk duhet dhe nuk duhet të guxojë të lejojë ndërhyrje politike në proceset gjyqësore. Një shembull sesi sistemi i drejtësisë ka dështuar, është rasti i ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku. Ai u dënua, por dënimi i tij nuk po zbatohet. Ka dështuar sistemi i drejtësisë, që ai të mbahej në Kosovë dhe të vuante dënimin sikurse të gjithë të dënuarit e tjerë. Këtë mundësi për të amnistuar Zharkun ia ka dhënë sistemi i drejtësisë”, tha Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Ne sot kemi institucione të plotësuara, shpeshherë të tepërta, që merren me luftimin e kësaj dukurie. Për mua, themelimi i Prokurorisë Speciale të Prokurorisë së Kosovës dhe ‘Task-Forcës Antikorrupsion’ janë adresa të veçanta në luftimin e këtyre dukurive negative. Mirëpo, më lejoni të them se ka ardhur koha, që Kosova të ketë një adresë për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë, po ashtu më lejoni të them, që ka ardhur koha ta kemi edhe një individ, që identifikohet në luftën e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, ambasadori amerikan tha se vendi i tij do t’i qëndrojë pranë Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe se, gjatë vitit të ardhshëm, SHBA-të do të ofrojnë më shumë se 12 milionë dollarë në mbështetje dhe ekspertizë për sistemin e drejtësisë.

Top Channel