Refugjatët, Shkupi kritikon Brukselin për ndihma të pamjaftueshme

10/12/2015 00:00

Maqedonia nuk është e kënaqur nga ndihma që i ka ofruar deri tani Bashkimi Europian, për ballafaqimin me krizën e refugjatëve. Në këtë kuadër, kryetari i Parlamentit në Shkup, Trajko Veljanovski ka kërkuar nga Brukseli më shumë mbështetje financiare, ndërsa nga autoritetet greke më tepër bashkëpunim.

“Më duhet të them hapur se, nga ana e Bashkimit Europian kemi marrë shumë pak ndihmë dhe mjete për t’u ballfaquar me krizën e refugjatëve. Dua të apeloj deri te vendet anëtare të BE-së të mos lejojnë, që kriza e refugjatëve të zgjidhet pjesërisht dhe në kurriz të vetëm disa shteteve të caktuara”, tha Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka bërë të ditur se, që nga fillimi i vitit, nëpër Maqedoni kanë kaluar rreth 500 mijë refugjatë, që – sipas tij, – janë një barrë shumë e rëndë për këtë vend.

“Pas Austrisë dhe vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor, edhe Maqedonia mori vendim për të pranuar refugjatë vetëm nga vendet e prekura nga lufta, si Siria, Iraku dhe Afganistani. Ne nuk mund të vepronim ndryshe. Vlerësoj se, duke përzgjedhur emigrantët mund të ndikojmë në uljen e numrit të madh të tyre dhe t’u ofrojmë atyre kushte më të mira”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Ndërkohë, Avokati i Popullit në Shkup, Ixhet Mehmeti ka kërkuar nga autoritetet maqedonase, që t’i trajtojnë më mirë refugjatët dhe të mos bëjnë përzgjedhjen e tyre, por të hapin kufirin për të gjithë, pavarësisht vendit prej nga vijnë.

Top Channel