Avokati mbrojtës i disa të paraburgosurve, Naser Raufi, i ka konfirmuar lajmet mediatike se policia maqedonase ka përdorur dhunë mbi disa pjesëtarë të grupit të Kumanovës.

Pas vizitës në burgun e Prilepit, Raufi pohon se Andi Krasniqi i është ankuar se është dhunuar çnjerëzishëm nga pjesëtarët e njësiteve speciale maqedonase gjatë transportimit të tij deri në gjykatë.

Avokati Raufi thotë se gjatë ditës së seancës gjyqësore, edhe Shefqet Hallaçi është ankuar se pjesëtarët e njësiteve speciale e kanë rrahur rrugës për në gjykatë.
 
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Adnan Jashari ka kërkuar hetim të menjëhershëm të rastit për të vërtetuar dyshimet: “Si ministër i Drejtësisë kam mundësi dhe të drejtë të kërkoj nga institucionet dhe organet kompetente që të konfirmohet nëse këto informacione janë të vërteta ose jo. Përderisa ka lëshime në procedurë, Këshilli Gjyqësor duhet të kryejë kontroll mbi punën e gjykatave dhe mbi Prokurorinë Publike”.

Ministri Jashari gjithashtu vlerëson se Prokurorja Speciale, në kuadër të kompetencave të saj dhe në bazë të informacioneve që ka, duhet të fillojë procedurë për të gjitha rastet, përfshi edhe “Monstrën” dhe “Sopotin”.

Top Channel