Bruksel, Thaçi ankohet para Hahnit: Marrëveshja e Ohrit është shkatërruar

10/12/2015 00:00

Pas takimit të së hënës me ministrin e Jashtëm maqedonas, Poposki, komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, priti në Bruksel dhe kreun e PDSH, Menduh Thaçi.

Ashtu si dhe me përfaqësuesin e qeverisë, takimi  u përqendrua tek ecuria e zbatimit të marrëveshjes politike, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të prillit, si dhe mbi rishikimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Mesazhi kryesor që dhashë është frika për manipulimin e radhës të zgjedhjeve, për shkak se ne jemi e vetmja parti që jemi në opozitë. Së dyti, komisioni, që punoi Piter Feith për analizën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit, nuk po sjell materialet në takimet e grupeve të punës, ku do të duhet të bisedohet për marrëdhëniet ndëretnike dhe implementimin e marrëveshjes, edhe pse ne, sot e kësaj dite besojmë se marrëveshja është tërësisht e shkatërruar, jo për faj të shqiptarëve. Në frymën e  saj, ne kemi një propozim të ri, nëpërmjet të cilit do të arrihej një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pa dyshim se ata shqiptarë, apo ajo forcë politike shqiptare, që është në qeverisje të vendit, mban përgjegjësi për shkatërrimin e marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH  në Maqedoni.

Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, Thaçi pritet të takohet dhe me drejtuesin e PPE-së, Daul, si dhe me raportuesin e Parlamentit Europian për Maqedoninë, Ivo Vajgl.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel