Skandali i përgjimeve, Gruevski nuk paraqitet për të dëshmuar

09/12/2015 00:00

Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, nuk është paraqitur të mërkurën në Komisionin Anketues në Parlament për të dëshmuar në lidhje me skandalin e përgjimeve.

Mungesën e Gruevskit e ka arsyetuar deputeti i partisë së tij VMRO-DPMNE, Antonio Milloshovski. Sipas këtij të fundit, kryeministri ndodhet në një vizitë jashtë vendit ndërsa para Komisionit Anketues do të dëshmojë më 14 dhjetor.

“Sa i përket skandalit të përgjimeve, është lideri i opozitës Zoran Zaev ai që nuk i respekton organet e drejtësisë, kurse kryeministri Gruevski është i gatshëm të deklarohet për skandalin dhe e ka njoftuar Komisionin se këtë do ta bëjë më 14 dhjetor”, ka thënë Milloshovski.

Por, kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov vlerëson se kryeministri Gruevski, nuk është paraqitur në seancë pasi ende tenton të fsheh realitetin për përfshirjen e tij në afera të ndryshme, që u zbulua nga skandali i përgjimeve.

“Komisioni Anketues nuk është shtab partiak i VMRO-DPMNE-së që Nikola Gruevski të përcaktojë datën kur mund të dëshmojë. Atë e caktojmë ne që kemi për qëllim që e vërteta të arrijë te qytetarët dhe Komisioni të kryejë funksionin e tij pa pengesa”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së.

Mungesa e dëshmitarëve në seancë, përplasjet mes deputetëve maqedonas dhe zvarritja e punës së Komisionit Anketues, sipas PDSH-së opozitare, flet qartë se të gjithë ata që janë të përfshirë në skandalin e përgjimeve tentojnë të pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
 
“Tre subjektet si VMRO, LSDM dhe BDI nuk kanë as kapacitet, as vullnet që ky skandal të zgjidhet deri në fund, pasi të tre palët janë të përfshira në këtë skandal”, tha deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu.

Komisioni Anketues ka për detyrë të vërtetojë përgjegjësinë politike për përgjimin ilegal dhe për përmbajtjen e materialeve të përgjuara. Seanca e radhës e këtij Komisioni është caktuar për ditën e enjte, ndërsa janë ftuar të dëshmojnë për skandalin e përgjimeve, ministri i Financave Zoran Stavrevski dhe Martin Protugjer, shef i kabinetit të kryeministrit maqedonas.

Top Channel