Qeveria e Kosovës, gati 39 projekte infrastrukture. Priten financimet

09/12/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka hartuar 39 projekte infrastrukturore gjithsej, që kërkojnë financim nga partnerët e ndryshëm zhvillimorë, me vlerë prej 2.4 miliardë eurosh.

Kjo është pjesa praktike e punës së ekzekutivit kosovar, sikurse e secilës qeveri në rajon, në kuadër të realizimit të projekteve infrastrukturore, si pjesë e axhendës së Berlinit.

Të mërkurën, në takimin e Këshillit Kombëtar për Investime, ministrat e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Energjisë prezantuan projektet dhe vlerën e tyre, në prani edhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës i jep prioritet linjave hekurudhore dhe atyre rrugore. Rehabilitimin e “linjës 10” hekurudhore është projekti i parë, i cili pritet të zbatohet nga axhenda e Berlinit.

“Vazhdojmë me projektin e parë, që është rehabilitimi i përgjithshëm i ‘vijës 10’, siç njihet vija nga Leshaku në veri deri në Hanin e Elezit në Maqedoni. Projekti i dytë ka të bëjë me përfundimin e pjesës së mbetur të autostradës ‘Ibrahim Rugova’, nga Besia deri në Merdarë”, tha Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës.

Qasja e Kosovës në rrjetin rajonal të gazit natyror është një tjetër projekt i rëndësishëm, për realizimin e të cilit qeveria e Kosovës kërkon mjete financiare, plot 150 milionë euro gjithsej.

“Investimi në këtë projekt ka rëndësi shumë të madhe”, tha Besa Gashi Zogaj.

Ministri Çollaku shtoi se, kjo është hera e parë, që institucionet e Kosovës kanë arritur të përgatisin një program të qartë të investimeve infrastrukturore për dekadat në vijim. Çdo projekt i identifikuar, sipas tij, është bërë bazuar në kriteret e rëna dakord me BE-në dhe është klasifikuar sipas rëndësisë strategjike dhe kontributit në zhvillimin ekonomik.

Top Channel