Mustafa bën bilancin e vitit të parë të qeverisjes

09/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka bërë bilancin e punës njëvjeçare të qeverisë së tij, duke e vlerësuar vitin 2015 të suksesshëm, edhe përkundër ballafaqimit të vazhdueshëm me protestat e opozitës.

Mustafa tha se, opozita duhet të kthehet në institucione dhe të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi – sipas tij, – nësë gjykata gjen ndonjë parregullsi, marrëveshja me Serbinë nuk do të zbatohet.

Duke komentuar tri kërkesat e opozitës, e cila po kërkon anulimin e marrëveshjeve, referendum për to, apo zgjedhje të reja (kërkesa përjashtuese), Mustafa tha se opozita nuk mund të fitojë zgjedhje me sjellje të dhunshme.

“Unë mendoj se në zgjedhje do të shkojmë në vitin 2018. Jo mendoj, por jam shumë i bindur, sepse opozitës, as në më të voglin rast nuk i përgjigjet duke shkuar në zgjedhje. Diçka duhet të thonë, sepse për të shkuar në zgjedhje duhet të llogarisësh se i fiton ato. Zgjedhjet, askush nuk mund t’i fitojë me sjellje të tilla, qoftë në Kuvend, ashtu dhe jashtë tij”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Duke folur për punën e qeverisë ai tha se, për një vit, koalicioni qeverisës ka qenë i qëndrueshëm, nuk ka pasur asnjë aferë korrupsioni dhe ka punuar në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në reforma ekonomike.

Mustafa ka sqaruar se ditë më parë, Kosova ka arritur edhe marrëveshjen me shtetin e Holandës për Gjykatën Speciale për krimet e luftës.

“Para 10 ditësh është arritur marrëveshja mes një grupi të punës të themeluar nga ne, si qeveri, dhe përfaqësuesve të Holandës, me praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Europian. Tani mbeten procedurat e tjera të këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që ato të bëhen të plotfuqishme. Ndërkaq, është përfunduar çdo gjë në këtë nivel dhe nuk ka mbetur asgjë e hapur mes dy vendeve”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Mustafa tha gjithashtu se, pret që gjatë këtij muaji Komisioni Europian të japë rekomandim pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, pasi – siç tha ai, – institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

Mustafa tha se qeveria e tij ka arritur që, brenda një viti, të ndërmarrë reforma të thella në sektorin ekonomik, që do të ndikojnë në rritjen e investimeve të reja dhe në hapjen e vendeve të punës gjatë vitit të ardhshëm.

Ai përmendi si suksese, marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” prej mbi një miliard eurosh, marrëveshjen për Brezovicën prej mbi 400 milionë eurosh, investime të tjera dhe subvencionet në bujqësi.

Gjatë vitit 2016, Mustafa tha se qeveria e tij do të ketë dy prioritete kryesore, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Top Channel