Mustafa, takim me zv.drejtorin e BEI: Kushte të favorshme për zhvillimin ekonomik

08/12/2015 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti këtë të martë në një takim zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Bankës Europiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci.

Gjatë takimit të tyre u bisedua për mbështetjen e BEI në projekte konkrete që lidhen me zhvillimin ekonomik në Kosovë, siç janë projektet në infrastrukturën hekurudhore, në eficencën e energjisë, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe përkrahja e sektorit privat përmes bankave tregtare në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa i bëri të ditur Bernuccit progresin në Kosovë dhe hapat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, me theks të posaçëm për reformat fiskale dhe qëndrueshmërinë financiare, që është arritur.

Kryeministri Mustafa prezantoi gjithashtu orientimet e mëtejshme të Qeverisë dhe mundësitë e zhvillimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Gjatë kësaj periudhe, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar që prioritet kryesor t’i jepet zhvillimit ekonomik. Kemi bërë reforma të shumta, sidomos në fushën fiskale; kemi miratuar në Qeveri projektligjin për Investimet Strategjike, i cili do të mundësojë investime të mëdha në Kosovë; kemi miratuar ligjin për garantimin e kredive dhe një varg hapash të tjera, të cilat do të rezultojnë me krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke përmendur edhe rëndësinë e marrëveshjes me FMN-në.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Bankës Europiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci vlerësoi arritjet e deritanishme në Kosovë. Bernucci shprehu gjatë takimit përkrahjen e mëtejshme të Bankës Europiane të Investimeve për projekte konkrete në Kosovë.

Top Channel