F1, Ecclestone: Duhen motorë nga kompani të pavarura

08/12/2015 00:00

Bernie Ecclestone nis fushatën në Formula 1 për përdorimin e motorëve nga kompani të pavaruara nga skuadrat e Formula 1. Në një intervistë për “Welt Am Soonntag”, bosi i këtij kampionati ka deklaruar se dominimi i Mercedes është bërë i mërzitshëm dhe për këtë arsye duhet ndërmarrë ky hap.

“Dominimi i një skuadre nuk është diçka e mirë për sportin. Formula 1 po bëhet e mërzitshme. Ka njerëz që e hapin televizorin vetëm për të parë vetëm startin e garës dhe e fikin më pas atë sepse Mercedes i bën garat të duken monotone. Me përdorimin e motorëve alternativë ne synojmë rritjen e kompetitivitetit të Formula 1”, tha Ecclestone.

Bernie e di shumë mirë  se kjo detyrë nuk është aspak e lehtë pasi duhet të përballet me rezistencën e skuadrave të mëdha. Ai theksoi se kjo ide nuk ka si qëllimin largimin e kompanive prodhuese të motorëve.

“Fakti që kërkoj përdorimin e motorëve të pavarur nuk do të thotë se do të heqim përfundimisht ata që prodhohen nga kompani si Mercedes apo Ferrari, por është krejtësisht e kundërta. Ne duam që në Formula 1 të ekzistojnë motorë që mund të blihen me një çmim më të lirë se ai që ekziston aktualisht. Bisedimet rreth  motorëve të rinj për 2018 nuk kanë përfunduar, përkundrazi ato po vazhdojnë të zhvillohen. Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje me prodhuesit e motorëve, FIA mund të vendosë një format të ri per ta. Nuk duhet të lejojmë që Formula 1 të shkatërrohet. Teknologjia nuk duhet të jetë shumë dominuese në këtë sport duke parë se varemi nga audienca”, shtoi Bernie Ecclestone.

Top Channel