Këmbëngul United, 144 mln paund për Neymar

08/12/2015 00:00

Manchester United vazhdon të ëndërrojë për të sjellë në “Old Trafford”, Neymar Jr.

Lajmi publikohet nga “Daily Star” që duke iu referuar disa mediave spanjolle, thonë se djajtë e kuq janë gati të shpenzojnë 144 milionë paund për të siguruar shërbimin e sulmuesit brazilian që do të vendoste një rekord të ri në historinë e futbollit botëror përsa i perkët merkatos së transferimeve.

Mësohet se United do të bazohet te fjalët e ish-presidentit të Barcelonës, Joan Laporta për të tentuar të bëjë këtë transferim. Sipas Laportës, klubi katalanas ka nevojë për më shumë të ardhura për të sistemuar bilancin dhe për këtë arsye do t’i duhet të nxjerrë në merkato brazilianin Neymar.
 
Por, duket se kjo tentativë për të blerë Neymar do të mbetet vetëm një ëndërr, pasi futbollisti brazilian ka deklaruar se ndihet shumë mirë në “Camp Nou”, ndërkohë që edhe babai i tij ka konfirmuar se dëshira e lojtarit është të rinovojë kontratën me Barcelonën.

Duke qëndruar në këtë pikë, një tjetër media spanjolle “Mundo Deportivo” ka publikuar lajmin se procesi i zgjatjes së kontratës së Neymar me kampionët e Spanjës dhe Europës është parashikuar të nisë në muajin janar.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, sulmuesi 23-vjeçar do të firmosë një kontratë deri në vitin 2021 dhe tashmë mbeten për t’u përcaktuar edhe detajet e saj.

Top Channel