Derbi kryeqytetas, larg pritshmërive. Përfundon 0-0

07/12/2015 00:00

Ka përfunduar në paqe “të bardhë” derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, një rezultat që i shërben më shumë Skënderbeut, që tashmë është vetëm dy pikë larg “të kuqve” kryesues.

Një përballje, e cila për atë çfarë dhanë dy ekipet ne fushën e lojës, ishte shumë larg pritshmërive të dy tifozerive respektive.

Gjithsesi, lojtari më i mirë i ndeshjes ishte portieri i Partizanit, Alban Hoxha, i cili me dy pritje vendimtare bëri që “të kuqtë” të çojnë në dy vite pathyeshmërinë e tyre në sfidat “derbi”.

Pas këtij rezultati, Tirana mbetet në vendin e 5-të me 22 pikë, ndërsa Partizani mban vendin e parë, por tashmë ndihet nën presionin e Skënderbeut, me te cilin do të përballet pas dy javësh.

Surpriza e javës së 15 në Kategorinë Superiore ishte Bylisi, që mposhti 2-1 Teutën falë golit të Muçës në minutën e fundit. Pas këtij triumfi, skuadra ballshiote ngjitet në vendin e 7 në klasifikim, ndërkohë që për durrsakët, kjo ishte humbja e parë pas 5 ndeshjesh në Superiore.

Top Channel