Prishtinë, çanta e violinës alarmon autoritetet policore. Dyshohej për bombë

07/12/2015 00:00

Një violinë, e harruar nga një nxënës në një stol pranë objekti të qeverisë së Kosovës, ka alarmuar Policinë pasditen e së hënës. Forcat e rendit bllokuan sheshin “Ibrahim Rugova”, pasi dyshohej se në çantën e violinës mund të kishte mjete shpërthyese.

Pjesëtarët e Policisë, për gati gjysmë ore nuk lejuan asnjë qytetar të kalojnë në sheshin “Ibrahim Rugova”, ndërsa ftuan njësitet e specializuara për ta ekzaminuar çantën e dyshimtë.

Policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediet, por gjatë komunikimit me njëri-tjetrin ekzistonte dyshimi se mund të ndodhte ndonjë sulm terrorist.

Pikërisht në kohën, kur në shesh arritën mjetet policore për të rrethuar vendin e dyshuar dhe për ta ekzaminuar çantën e dyshimtë, aty u paraqit pronari i çantës.

Granit Luta i tha Policisë se, çanta ishte e tij dhe brenda gjendej vetëm një violinë, të cilën e kishte harruar pas një pushimi që ka bërë në shesh.

Pasi u vërtetua nga Policia se në çantë nuk kishte mjete të dyshimta, nxënësi u shpreh i habitur për panikun që ka shkaktuar.

“Po, kam qenë me një shok dhe, duke menduar se po ma merrte ai çantën, jemi ngatërruar dhe e kemi harruar. Duke shkuar në shtëpi më ra në mend se nuk e kisha violinën dhe u ktheva. Kur erdha këtu, pashë që Policia kishte rrethuar vendin dhe fillimisht nuk po dija çfarë po bëhej. Pastaj e mora vesh të vërtetën”, tha Granit Luta, nxënës.

Pas heqjes së dyshimeve me kontrollin në çantën e Granit Lutës, Policia liroi sheshin sërish për qarkullim për qytetarët.

Policia e Kosovës, prej disa javësh ka shtuar masat e sigurisë për të parandaluar sulmet e mundshme terroriste, pas ngjarjeve në Paris.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel