Incident i armatosur në fshatin me shumicë serbe të Pejës

07/12/2015 00:00

Persona të panjohur kanë kryer disa sulme me armë zjarri në fshatin Gorozhdec të Komunës së Pejës, i banuar në shumicë nga serbët.

Lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës, e cila nëpërmjet një komunikate për mediet bën të ditur se, gjatë mesnatës së të dielës është sulmuar me armë zjarri një shtëpi private, një automjet është djegur dhe është dëmtuar përmendorja, e cila ndodhet 200 metra nga prona private.

Policia ende nuk i ka identifikuar autorët e këtyre sulmeve, nga të cilat nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa njofton se po zhvillohen hetime intensive nga njësiti rajonal i hetimeve në vendndodhjen e incidentit dhe përreth zonës.

“Rasti është duke u hetuar intensivisht, duke mbledhur dëshmi, prova, deklarime të banorëve të atij fshati, por edhe të fshatrave që hasen rrugës përmes fshatit Gorozhdec”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, e cila e konsideron si një rast të izoluar dhe se gjendja në fshat është e qëndrueshme dhe e qetë.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit nga radhët e “Listës Serbe” në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviç, i cili përmes një komunikate për mediet kërkoi që sulmi të zbardhet.

“Sulmet ndaj popullatës serbe kanë tejkaluar çdo masë. Ky është momenti kur në Kosovë, të gjithë ata që mendojnë mirë duhet të pyeten se, ku shpie kjo sjellje. Jemi dëshmitarë se provokimet, frikësimet, dëmtimi i përmendoreve dhe i shenjtorëve, por edhe sulmet e armatosura nuk po ndalen. Ftoj të gjithë kompetentët t’ua ndalojnë rrugën aktorëve të veprave të tilla”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri serb, Branimir Stojanoviç.

Nëpërmjet deklaratave të veçanta kanë reaguar edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, që vijnë nga “Lista Serbe”.

Ndëkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon incidentin në fshatin e banuar me shumicë serbe, Gorazhdec i Komunës së Pejës. Në një komunikatë për mediet thuhet se, “pa dashur të paragjykojmë se kush qëndron pas këtij incidenti, ai është bërë me qëllim ndaljen e procesit të integrimit të pakicave në sistemin e Kosovës”.

AAK fton të gjitha ata, që sipas kësaj partie bëjnë përllogaritje politike, që sulmet e tilla nuk do të mund t’i minojnë përpjekjet tona, që serbët e Kosovës të jenë qytetarë të lirë e të barabartë me të gjithë të tjerët, e as përcaktimin tonë se, në asnjë situatë nuk do të pranohet rikthimi i ndikimit të shtetit të Serbisë në Kosovë.

Këtë incident e dënoi fuqishëm edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger. “Pavarësisht nga vendbanimi i tyre, ata duhet të ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur”, citohet të ketë thënë Schlumberger në një komunikatë për mediet.

Top Channel