Dunga, pakënaqësi ndaj agjentëve të lojtarëve

07/12/2015 13:40

Carlos Dunga befason me disa deklarata të forta të tij. Trajneri i përfaqësueses braziliane, në një intervistë për “TV Globo” shprehu hapur ankesat e tij ndaj agjentëve të futbollistëve në lidhje me grumbullimet e tyre në momente të caktuara.

“Nuk kam pasur presion përpara grumbullimeve të skuadrës, por disa probleme i kam hasur kur kam lënë jashtë përfaqësueses disa lojtarë, madje në momente të caktuara më kanë bërë edhe kërcënime. Për fat, ky ishte vetëm një episod. Problemi qëndron se tani bota e futbollit komandohet nga agjentët e lojtarëve. T’i bësh gjërat mirë shërben shumë pak; ata bëhen të gjithë kundër nesh”, tha Dunga.

Dunga nuk la pa përmendur në intervistën e tij edhe Neymar, i cili është mes 3 finalistëve për fitimin e Topit të Artë, së bashku me Messin dhe Ronaldon: “Ka ardhur koha që Neymar të fitojë Topin e Artë. Unë votova për të. Ronaldo nuk po bën të njëjtat paraqitje si në vitet e kaluara. Nuk është se po luan keq, por niveli i lojës së tij ka rënë. Ndërsa Messi ka qenë i dëmtuar dhe Neymar gjatë mungesës së tij u shndërrua në liderin e Barcelonës. Për këtë arsye them se ky është momenti i tij”.

Top Channel