Humbja me Juven, “hija” e Lippit rëndon mbi stolin e Lazios

05/12/2015 00:00

Fate të ndryshme për trajnerët e Juventusit dhe Lazios pas fitores 2-0 të kampionëve në fuqi të “Serie A” në stadiumin “Olimpico”; për njërin largim nga kriza, ndërsa për tjetrin tronditje e pankinës.

“Zonja e vjetër” u duk më e fortë se kurrë këtë sezon, me fitoren e pestë radhazi, duke u ngjitur kështu në kuotën e 27 pikëve.

Falë një autogoli të Gentilettit, pas goditjes së Dybala, si dhe protagonizmit të argjentinasit në golin e dytë të bardhezinjve, ndeshja nuk pati shumë komplikime për miqtë.

Marcelo Lippi ndërkohë, i cili ishte në tribunë për të parë sfidën, shihet si zëvendësuesi potencial i trajnerit Pioli, me këtë të fundit që ka vuajtur edhe një ultimatum nga drejtori sportiv Igli Tare.

Kjo ishte humbja e 6 në 7ndeshjet e fundit për Lazion, duke i vështirësuar pozitat e trajnerit aktual, por ky rezultat bën të lumtur një tjetër trajner, që e ka edhe emrin të tillë.

“Kjo skuadër vjen nga 5 fitore radhazi dhe ndaj Lazios nuk ishte e lehtë. Nëse shikojmë intensitetin, kemi bërë një lojë të mirë dhe, nëse bëmë gabime në kontrollin e topit, kjo erdhi nga fakti që kemi një periudhë me shumë impenjime”, tha trajneri i Juventusit, Allegri.

Top Channel