Tiranë, aksident në Bovillë me dy të vdekur e 4 të plagosur

05/12/2015 00:00

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të 4 të tjerëve është regjistruar të shtunën pas dreke në një zonë periferike të kryeqytetit. Për fat të mirë, mësohet se ka pasur edhe 3 të plagosur të tjerë, por pa rrezik për jetën, të cilët janë Y.S., S.S. dhe B.M..

Bëhet fjalë për rrëzimin e një automjeti tip fuoristradë në një humnerë disa dhjetëra metra, teksa po lëvizte përgjatë aksit Liqeni i Bovillës-Zallherr.

Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policie, mjete të zjarrfikëses dhe autoambulanca, teksa me vështirësi të mëdha është bërë e mundur nxjerrja e të plagosurve fillimisht, për t’u transportuar për në Spitalin e Traumës, në Tiranë, të cilët raportohen të jenë në gjendje të rëndë për jetën.

Ndërkohë, policia ka bërë të mundur edhe identifikimin e trupave të pajetë, Zyber dhe Petrit Bile; respektivisht 24 dhe 40 vjeç; ndërsa të plagosurit jepen vetëm me iniciale: D.H. 30 vjeç; A.B. 28 vjeç; D.S. 33 vjeç dhe B.S. 65 vjeç.

Ende nuk është bërë i ditur ndonjë detaj mbi shkaqet e rrëzimit të kësaj fuoristradeje në humnerë, por policia po punon për hetimin e plotë të këtij aksidenti rrugor.

Top Channel