Jahjaga, kundër dhunës; SHBA: Opozita të zbatojë ligjin

05/12/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kundërshton ashpër metodat jashtë institucionale, që mund t’i japin një drejtim situatës politike në Kosovë. Kryetarja e shtetit paralajmëroi se, në bazë të kompetencave kushtetuese, do të bashkërendojë gjetjen e zgjidhjes ndërmjet atyre që e duan Kosovën.

Këto komente, Jahjaga i bëri në konferencën vjetore të Këshillit Gjyqësor, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, përfshi ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe shefin e zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar.

“Ne nuk mund të lejojmë, që dialogu të zëvendësohet me dhunën dhe as me refuzim institucional. Nuk mund të lejojmë, që të imponohen zgjidhje jashtë institucionale, sepse institucionet e shtetit të Kosovës janë mundi dhe sakrifica e gjeneratave të tëra. Nuk mund të lejojmë, që demokracinë ta sfidojmë çdo ditë, sepse atë po e ndërtojmë me shumë punë dhe me shumë mund. Ndaj dialogu i sinqertë dhe i hapur duhet të vendoset në vend, përpara se mirëqenia e qytetarëve të rrezikohet, përpara se e ardhmja e tyre të vihet në rrezik. Unë kam përgjegjësi kushtetuese dhe politike, që të ndihmoj në gjetjen e rrugës së dialogut, ta lehtësoj atë dhe mbi bazën e kompetencave të mia kushtetuese, të bashkërendoj gjetjen e zgjidhjes ndërmjet atyre që e duan këtë vend, që e duan këtë popull dhe që duan ta shohin Kosovën një vend të lirë dhe demokratik”, tha Atifte Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Pasi ftoi organet e drejtësisë në Kosovë, që të angazhohen më fort për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ambasadori amerikan komentoi edhe mbi situatën aktuale politike. Ai porositi deputetët nga radhët e opozitës se, krahas të drejtave të tyre, duhet edhe të respektojnë ligjin.

“Veprimet e deputetëve opozitarë e dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar dhe, çfarë është më e rëndësishme, ata dëmtojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Më lejoni të jem i qartë, deputetët kanë të drejtë të jenë zëri i atyre që përfaqësojnë në Kuvend, por ata janë përgjegjës edhe për të respektuar ligjin, si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Në një sistem drejtësie, nëse veçohen disa persona, ai është i destinuar të dështojë. Deputetët kanë të drejta, por edhe duhet të respektojnë ligjin”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Po kaq në mbrojtje të respektimit të ligjit, pavarësisht fuqisë politike apo  partisë, u shpreh edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai tha se ka ardhur koha, që politikanët të ndihen të barbartë para ligjit, pavarësisht nga imuniteti që gëzojnë.

“Qasja jonë në muajt e fundit tregon se, akush nuk është mbi ligjin”, tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit.

Përtej situatës politike, që ka përfshirë edhe organet e drejtësisë për shkak të arrestimit të deputetëve nga radhët e opozitës, përfaqësuesit e organeve të drejtësisë theksuan nevojën për një vullnet më të madh politik, për luftimin e dukurive të tjera shqetësuese, si korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi, sfida që mbajnë peng ecjen përpara të Kosovës.

Top Channel