E bujshme, Real Madridi jashtë Kupës së Mbretit

04/12/2015 00:00

Komisioni i Disiplinës në Federatën spanjolle të Futbollit ka pezulluar nga Kupa e Mbretit Realin e Madridit ashtu siç edhe parashikohej.

Sanksionet ekstreme ndaj formacionit iberik morën formë zyrtare pas aktivizimit në lojë të Denis Cheryshev në transfertën e zhvilluar nga Cadiz, ku lojtari edhe shënoi njërin nga golat për ekipin e Realit.

Cheryshev ishte i pezulluar që nga edicioni i kaluar kur ishte lojtar i Villarreal pasi kishte marrë tre kartonë të verdhë në këtë kompeticion, por as trajneri dhe as drejtuesit e ekipit nuk ishin të aftë për ta evituar aktivizimin.

Edhe pse këtë mesjavë Florentino Perez deklaroi se Reali nuk ishte në dijeni rreth këtij rasti, Komisioni i Disiplinës në Federatën e Futbollit ka marrë vendimin epër përjashtimin e Realit, duke i mundësuar Cadiz-it kalimin në fazën tjetër me rezultat zyrtar.

Cheryshev hapi llogarinë e golave për “galaktikët”, por u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, ndërsa aktivizimi i tij i palejuar bëri shumë shpejt xhiron e botës.

Reali i Madridit me të gjitha gjasat do të apelojë përjashtimin dhe do të kërkojë rikthimin në Kupën e Mbretit.  

Top Channel