Dështojnë të “sjellin” ISIS-in në Kosovë, u ngrihet aktakuzë

04/12/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur këtë të premte një aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër disa të pandehurve për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj shtetasve B.L., G.H., B.I., M.H. dhe E.L., në datën 10 korrik 2015 gjatë orëve të vona të natës, sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë shkuar te liqeni i Badovcit, që të regjistrojnë një video propaganduese me logon e organizatës terroriste ISIS, në të cilën kanë pasur për qëllim të lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të xhihadistëve dhe ta publikojnë atë në internet, për të dëshmuar para botës për shtrirjen e të ashtuquajturit Shtet Islamik në Republikën e Kosovës.

Për këtë arsye, të pandehurit janë pajisur me pushkë automatike “AK 47” me bajonetë, me 5 karikatorë dhe 32 fishekë, si dhe me uniforma ushtarake, maska për fytyrën, dorëza dhe me flamurin e organizatës terroriste ISIS, bën të ditur Prokuroria.

Të pandehurit, pasi janë ndalur në afërsi të digës së liqenit, janë vënë re nga rojtarët e liqenit, të cilët kanë njoftuar Policinë e Kosovës. Kjo e fundit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar të pandehurit B.L., E.L. dhe M.H., ndërkaq të pandehurit G.H. dhe B.I. janë arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri F.M.

Top Channel