Kaçanik, operacion policor në kërkim të Muhaxherit

04/12/2015 00:00

Ditët e fundit, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Lavdrim Muhaxherit në Kaçanik. Sipas gazetës “Ekspres”, Muhaxheri nuk është gjetur, por kjo tregon se policia i ka marrë seriozisht raportimet në mediet e rajonit, për një rikthim të Muhaxherit nga Siria.

Operacioni i madh policor është zhvilluar të mërkurën në mesnatë, në qytetin e Kaçanikut. Ndërsa sipas kësaj gazete, në portalin e saj online thuhet se bastisje janë kryer edhe në disa vendndodhje të tjera.

Kjo nuk është hera e parë, që për terroristin kosovar dyshohet se mund të jetë kthyer nga lufta në Siri. Së fundi, media të ndryshme të Ballkanit, bazuar në burime raportonin se Muhaxheri kishte hyrë në Ballkan përmes valës së refugjatëve aziatikë, rreth dy muaj më parë, ndërkohë që për disa kohë thuhej të ketë qëndruar në Maqedoni, e më pas të jetë kthyer në Kosovë.

Nuk kanë munguar gjithashtu edhe raportimet se, Muhaxheri aktualisht është në gjendje të rëndë dhe i paralizuar.

Lavdrim Muhaxheri iu bashkua luftës në Siri, si muxhahedin, në vitin 2012, për t’u kthyer nga atje një vit më vonë. Fillimisht ai ishte i rreshtuar përkrah grupit “Al Nusra”, e më pas me t’u kthyer sërish në Siri, në vitin 2013, iu bashkua luftëtarëve të Shtetit Islamik, ku edhe mori poste udhëheqëse.

Top Channel