Kosovë, ambasadori britanik “chat” me ndjekësit në Facebook

04/12/2015 00:00

Diçka që nuk e ka bërë asnjë politikan kosovar, po e bën së fundi ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Connell. Në faqen e tij të rrjetit social Facebook, ai nisi këtë të premte një bashkëbisedim me qytetarët, miqtë e tij virtualë, për të gjitha çështjet me interes për ta.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivelet e larta dhe aktualiteti politik dominuan diskutimin disa orësh të ambasadorit britanik me qytetarët në Facebook. Por, nuk munguan edhe pyetjet për librin e preferuar nga shkrimtarët shqiptarë, apo nëse ai e konsumon çajin e zi.

Në pyetjen se kush duhet ta luftojë korrupsionin dhe krimin në Kosovë, kur janë pikërisht politikanët të korruptuarit, ambasadori britanik tha se, “politikanët e  korruptuar duhet të dënohen dhe të mos kthehen në politikë”. Por gjithashtu – shtoi ai, – “nuk i zgjedhim ne politikanët të Kosovës. Jeni ju, votuesit e Kosovës, që i zgjidhni ata”.

Edhe në një tjetër pyetje të ngjajshme, ai u përgjigj se shteti i tij përkrah Kosovën dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike. Ndërsa janë votuesit, ata që zgjedhin udhëheqësit e Kosovës.

Britania e Madhe nuk do ta njihte Kosovën shtet shqiptar, – ishte përgjigjja e ambasadorit britanik në pyetjen e një qytetari tjetër, – nëse Kosova do të ndërronte Kushtetutën e saj dhe do ta shpallte veten shtet të shqiptarëve.

Ambasadori britanik tha se nuk sheh rrezik për krijimin e një “republike serbe” në Kosovë pas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve për arrestimin e deputetëve, ai tha se në Mbretërinë e Bashkuar, nëse një deputet do ta kishte thyer ligjin, ai/ajo do t’i përgjigjej thirrjes së policisë për marrje në pyetje, përndryshe do të arrestohej.

Në këtë temë, ai iu përgjigj edhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, i cili aktualisht po vuan masën e “arrestit shtëpiak”, duke shfrytëzuar rastin me këtë rast që të ftojë opozitën të jetë e hapur për dialog, si e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull.

Top Channel