F1, Renault blen Lotusin

04/12/2015 11:00

Në Botërorin e Formulës 1 të vitit 2016 do të jetë edhe Renault. Kompania franceze ka mundur të blejë Lotusin, lajm ky që fillimisht u publikua në rrjetin social Twitter dhe më pas nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Detajet e fundit të marra nga aksionerët kryesorë të Formulës 1 na dhanë besimin e nevojshëm për të pranuar këtë sfidë të re. Kishim 2 opsione: të ktheheshim në maksimumin tonë ose të largoheshim përgjithmonë. Unë vendosa për rikthimin”, deklaroi Carlos Ghosn, administratori i deleguar i këtij grupi automobilistik.

Tratativat për blerjen e Lotusit nga Renault kishin filluar prej kohësh. Madje, në muajn shtator kompania franceze kishte nënshkruar një letër ku shprehte synimin për të blerë Lotusin që po përballej me një proces ligjor në Londër për taksat e papaguara. Fati i skuadrës angleze do të varej nga gjykatësit po të mos kishte ardhur ndërhyrja e Renault, që tashmë po mendon të mbyllë sa më shpejt këtë proces të blerjes së Lotusit.

Përsa u përket piltotëve me të cilët do të garojë skuadra Lotus Renault, ata do të jenë Pastor Maldonado dhe Joylon Palmer. Lotus dhe Renault kanë bashkëpunuar për 15 vjet dhe në vitet 2005 e 2006 kanë fituar tituj botërorë në Formula 1 me Fernando Alonson. Por marka franceze ka lënë një gjurmë në historinë e këtij kampionati për rreth 40 vjet. Në vitin 1977, Renault e revolucionoi këtë kampionat duke bërë që të përdoreshin turbokompresorët në makinë, një teknikë kjo që shumë shpejt u shndërrua në një normë për këtë sport.

Renault ka marrë pjesë në më shumë se 600 gara, duke siguruar 168 fitore me 12 tituj për konstruktorë dhe 11 për pilotë.

Top Channel