Refugjatët, Greqia i deporton, Pakistani i rikthen në Athinë

04/12/2015 10:40

Pakistani u refuzoi hyrjen 30 emigrantëve të deportuar nga Greqia, me argumentin se identitetet e tyre nuk mund të verifikoheshin.

Personat ishin pjesë e një grupi të riatdhesuarish, të nisur të enjten nga Athina drejt Islamabadit. Pas kontrolleve të imtësishme, 19 emigrantëve iu lejua qëndrimi, ndërsa pjesa tjetër u dërgua mbrapsht në Greqi.

Vetëm një javë më parë, një zyrtar i lartë i BE-së deklaroi se, Pakistani do t’i qëndronte marrëveshjes për pranimin e të deportuarve nga Europa, pohime këto që pasuan pretendimet e ministrit të Brendshëm pakistanez, Nisar Ali Khan, mbi pezullimin e ujdisë që mundëson riatdhesimin e mijëra personave në vit.

Sipas statistikave të BE-së, drejt kontinentit të vjetër udhëtojnë ligjërisht për arsye punësimi rreth 50 mijë pakistanezë, ndërsa në 2014-n, 21 mijë shtetasve që jetonin në Europë pa leje të rregullt qëndrimi iu kërkua kthimi i menjëhershëm në Pakistan.

Ministria e Brendshme pakistaneze sqaroi se, 30 personat e mbërritur të enjten, të cilët nuk mund të identifikoheshin, kishin ardhur me fluturim të drejtpërdrejtë nga Greqia. “Ne i kemi zgjidhur vërtet disa çështje të mbetura pezull me Komisionin Europian, – thuhet në deklaratën e saj, – por në këtë rast, ligjet tona janë shkelur e kjo është e papranueshme”.

Zyra e Bashkimit Europian në Islamabad pretendon se, të gjithë personat në bord ishin të pajisur me dokumente udhëtimi të lëshuara nga vet ambasadat pakistaneze, por zyrtarët vendas këmbëngulin se të deportuarit nuk kishin karta identifikimi, ndaj kombësia e tyre nuk verifikohej dot.

Top Channel