Oferta, përgjigjet opozita: Burgosën deputetët; qeveria të zgjedhë mes 3 kërkesave tona

03/11/2015 18:10

Pas një takimi të tri partive opozitare në Kosovë, lidhur me manifestimin e paralajmëruar për të shtunën në Gjakovë kundër marrëveshjeve për demarkacionin dhe Asociacionin, udhëheqësit opozitarë dhanë përgjigje për ofertën e kryeministrit Isa Mustafa.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se, nuk mund të dialogohet me ata, të cilët kanë burgosur deputetët. Ai tha se lirimi i të burgosurve politikë do të ishte një gjest, që ka ndryshuar diçka në mendjen e pushtetarëve, duke shtuar se, ata që po bëjnë thirrje për dialog duhet të vetëburgosen.

I pyetur nëse do të ishte i mirëpritur kreu i LSI-së nga Shqipëria për të ndërmjetësuar, siç pati hipoteza në shtypin e ditës në Kosovë, Haradinaj tha se janë të mirëseardhur të gjithë zyrtarët e Shqipërisë, duke kritikuar kryeministrin Mustafa, për qëndrimin që kishte mbajtur lidhur me reagimet e zyrtarëve shqiptarë për situatën në Kosovë.

“Kam parë një deklaratë të kryeministrit Mustafa, ishte shumë nervoz se përse politikanët e Shqipërisë po japin mendime. E pakuptimtë të ketë kaq alergji nga ato që dëgjon prej Tiranës dhe të ketë kaq shumë gatishmëri e pasion t’i dëgjojë kërkesat e Serbisë. Çdo vizitë e Tiranës është e mirëseardhur, nuk e dimë sa mund të ndihmojnë”, tha Ramush Haradniaj, kryetar i AAK-së.

Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se, mbetet ende kërkesa e tyre për tërheqje nga marrëveshjet, e nëse kjo nuk mundësohet, atëherë të mbahet një referendum ose zgjedhje të reja, duke shtuar se qeveria duhet të qartësojë se për cilën nga këto pika do të dialogojë.

“Ne kemi shpallur 3 kërkesa të shtunën në manifestimin tonë, të cilat janë përjashtuese njëra me tjetrën, në kuptimin që qeveria duhet të reflektojë. T’i anulojë marrëveshjet, pra të tërhiqet nga këto marrëveshje të dëmshme për Republikën e Kosovës, e nëse qeveria nuk mund ta bëjë këtë, atëherë t’i çojmë marrëveshjet në referendum. E nëse as këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet. Kështu që, kërkesa për dialog nga qeveria duhet të bëhet e qartë se, për cilën nga këto pika duan të dialogojnë”, tha Visar Ymeri, kryetar i VV.

Sa i përket vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, Ymeri tha se qeveria po keqpërdor partneritetin dhe miqësinë me Amerinën për qëllimet e saj. Ndërsa lidhur me manifestimin e së shtunës, sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilal Sherifi tha se, përderisa nuk ka ndryshime, qëllimi, rruga dhe mjetet e kundërshtimit të marrëveshjeve mbesin të njejta dhe manifestime të tilla do të organizohen në të gjitha qytetet e mëdha në Kosovë.

Top Channel