Europiani i U17 risjell sfidën Shqipëri-Serbi

03/12/2015 13:25

Shqipëria do të ndeshet përsëri me Serbinë për eliminatoret e një Evropiani, vetëm se këtë radhë kjo do të ndodhë në kategorinë e përfaqësueseve U17. Ky është verdikti i shortit të hedhur në Nion të Zvicrës për fazën kualifikuese të Euro 2017.  Ky short e vendosi kombëtaren e U17 në grupin 4, ku përveç Serbisë, janë edhe Italia dhe Maqedonia.

Nuk është hera e parë që futbolli shqiptar përballet me atë serb. Në fillim ishin ndeshjet e kombëtares A për eliminatoret e Euro 2016, ndërkohë që përpara pak kohësh një tjetër short e vendosi Serbinë në një grup me Shqipërinë, në eliminatoret të Evropianit të Futbollit të Femrave për kategorinë U19. Ndeshjet e grupit 4 të eliminatoreve të Euro 2017 të kategorisë U17 do të luhen në Itali nga data 26 deri në 31 tetor të vitit 2016.

Ndërkaq, në Nion u hodh edhe shorti për Euro 2017 të kategorisë U19. Skuadra kombëtare shqiptare e drejtuar nga Arjan Bellai është vendosur në grupin 4 të fazës kualifikuese të këtij Evropiani. Kuqezinjtë 19-vjeçarë do të luajnë në këtë grup së bashku me Gjermaninë, Irlandën dhe Gjibraltarin. Konfirmohet se ndeshjet e grupit tonë të këtyre eliminatoreve do të luhen në Shqipëri, nga data 6 deri në 11 tetor 2016.

Top Channel