Kosovë, 30 ditë paraburgim deputetëve Kurteshi dhe Shala

02/12/2015 18:55

Deputetit të Vetëvendosjes Ismail Kurteshi dhe atij të Nismës për Kosovën Haxhi Shala, të cilët u arrestuan në Kuvend për hedhjen e gazit lotsjellës në sallë, iu caktua masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

E njëjta masë është marrë dje edhe ndaj deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, ndërsa në paraburgim njëmujor janë deputetja e AAK, Donika Kadaj Bujupi dhe Albin Kurti, i arrestuar të shtunën gjatë bastisjes policore në selinë e Vetëvendosjes.

Policia e Kosovës këtë të mërkurrë ka sqaruar opinionin me një komunikatë për shtyp në lidhje me bastisjen, duke thënë se i është kërkuar kryterait të VV, Visar Ymeri dhe deputetes Aida Dërguti që të jenë të pranishëm, por ata s’kanë pranuar, duke hedhu kështu poshtë dhe akuzat nga Vetëvendosje se ata nuk ishin lejuar.

Nga ana tjetër, policia ka dhënë edhe sqarime pse nuk ndërhyri në kohën që Kurti mbante fjalim në manifestimin e së shtunës, “për të mos përshkallëzuar situatën në dhunë”.

Ndërsa ndëhyrjen me forcë në selinë e VV ajo e justifion me faktin se, janë penguar nga aktivistët tek dera që të hynin për të arrestuar Kurtin.

Përveç deputetëve dhe aktivistëve që janë arrestuar nga policia, në arrati mbeten deputetët Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për të cilët është lëshuar urdhërarrest për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ndërkohë që të tjerë zyrtarë dhe aktivistë të Vetëvendosjes mund të përballen me fletarreste ditët në vazhdim, për një aksion të vitit 2009, ku u dëmtuan makinat e EULEX-it. Kjo, pasi të akuzuarit për të katërtën herë, nuk janë paraqitur në gjykatë të mërkurrën.

Në mesin e 27 të akuzuarve lidhur me këtë aksion janë edhe deputeti Glauk Konjufca, sekretari organizativ i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj, drejtori i inspeksionit në komunën e Prishtinës Xhelal Sfecla, zyrtari për informim Frashër Krasniqi e të tjerë. Seanca e radhës u caktua më 11 janar 2016.

Top Channel