F1, Webber: Raikkonen po mbyll karrierën

02/12/2015 14:00

Kimi Raikkonen është drejt mbylljes së aventurës së tij në Botërorin e Formulës 1. Ky është opinioni i shprehur nga  Mark Webber, në një intervistë për median finlandeze, i cili vuri në dukje se piloti i Ferrarit nuk është më në kulmin e karrierës së tij.

“Mendoj se Raikkonenit po i ndodh ajo çfarë më ndodhi edhe mua. Ai nuk është më në kulmin e karrierës së tij dhe aventurës së tij në Formulën 1 po i vjen fundi, gjë të cilën e kalojnë të gjithë. E di shumë mirë se mbajtja gjallë e miotivimit është një sfidë e madhe, sidomos kur bën një përmbledhje të paraqitjeve në pista. Është një detyrë e vështirë dhe kur ke të bësh me pilotë më të rinj si Sebastian Vettel, gjërat vështirësohen akoma më shumë. E respektoj Raikkonenin, është një prej pilotëve më të mirë në Formulën 1 që kam parë ndonjëherë. Shpresoj që ta mbyllë karrierën me rezultate sa më të larta”, tha ish-piloti i Red Bullit.

Tha fjalën e tij për Raikkonen edhe bashkëkombasi i ferraristit, Mika Hakkinen, i cili miratoi mendimin e Webberit kur tha se finlandezi i “Kokëkuqes” italiane në vitin 2016 duhet të bëjë paraqitje akoma më të mira. Sipas 2 herë kampionit të botës, sa herë skuadrat e Formulës 1 bëjnë analizat e tyre, bazohen jo vetëm te numrat dhe shifrat, por edhe te puna e të gjithë stafit. Hakkinen, i cili është pjesë e skuadrës menaxheriale të Valtteri Bottas, e mbylli fjalën e tij duke thënë se është shumë kurioz se si do të shkojnë gjërat në F1 vitin tjetër.

Top Channel