Pirelli, teste për vitin 2016. Gati gomat “ultrasoft”

02/12/2015 13:50

Drejtori i Pirelli Motorsport, Paul Hembery është shprehur shumë i kënaqur me të dhënat që arritën të marrin në 12 orët e testeve të zhvilluara në cirkuitin Yas Marina, në Abu Dhabi, të martën.

Kompania furnizuese e gomave e shfrytëzoi këtë ditë për të punuar mbi pneumatikët që do të përdorin për sezonin 2016 në Formula 1, përfshirë edhe modelin e ri “ultrasoft” që do të përdoret për herë të parë duke filluar nga Çmimi i Madh i Montekarlos. Hembery beson se kjo ishte një mundësi e shfrytëzuar shumë mirë.

“Ne kishim vetëm një mundësi për të testuar gomat e sezonit të ardhshëm dhe jemi të kënaqur me ato çfarë arritëm të grumbullojmë nga ky testim, edhe pse të dhënat që morën do t’i analizojmë më kujdes”, deklaroi Hembery. “Ne testuam versione të ndryshme të modelit “ultrasoft”, që besojmë se do të jetë një nga objektivat e vitit 2016. Dhe objektivi që ne kemi për vitin 2016 me “ultrasoft” është të sjellim një gomë më të butë se ekzistueset “supersoft”, e dizanjuar si një zgjedhje shumë më agresive për pista qytetase: me  një performancë më të mirë se sa versioni i fundit i “supersoft” dhe një konsum më të shpejtë, për t’i dhënë edhe skuadrave mundësinë për të përgatitur strategji më agresive për garën”, deklaroi Hembery.

Gjithsesi, shefi i kompanisë Pirelli precizoi se ende nuk kanë një konkluzion final teknik, pasi të dhënat duhet të analizohen me detaje edhe në përshtatje me atë çfarë do të kërkojnë vetë skuadrat.

“Nëse kjo do të prodhojë më shumë pit stop apo strategji të ndryshme është shumë shpejt për ta thënë. Ne duhet më parë të bëjmë një analizë komplete të të dhënave që mblodhëm dhe të telemetrive të skuadrave. Por ajo që konstatojmë është se jemi në drejtimin e duhur; “ultrasoft” do të krijojnë shumë mundësi për disa gara specifike”, u shpreh Hembery.

Top Channel