Sulmoi eskortën e Mustafës, Prokuroria i ngre aktakuzë

01/12/2015 00:00

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka ngritur aktakuzë, ndaj personit që u arrestua në muajin tetor, nën dyshimin për sulm kundër eskortës së kryeministrit Isa Mustafa.

Ndaj Trim Gashit rëndojnë tashmë akuzat për veprat penale “dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, në tentativë” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, policia e arrestoi Gashin pasi i pandehuri, sipas marrëveshjes paraprake me 4 persona të paidentifikuar, në rrugën “Ilir Konushevci” të Prishtinës, me disa mjete të përshtatshme për shkatërrimin e gomave të tipit metal me gjemba, kanë tentuar të shpojnë gomat e automjeteve të eskortës së Mustafës, por janë penguar nga personat zyrtarë.

Gjatë veprimeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, i pandehuri i ka sulmuar ata, duke iu shkaktuar lëndime trupore, bën të ditur komunikata e Prokurorisë. Në të njëjtën komunikatë, i bëhet e ditur opinionit se, i pandehuri Gashi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kishte mohuar përfshirjen në këtë akt.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje e ka sqaruar tashmë qëndrimin e saj, duke thënë se Gashi nuk është aspak i përfshirë në një veprim të tillë, e duke shtuar se ai është arrestuar në shesh teksa mblidhte firma për peticionin kundër Zajednicës. Ndaj dhe, policia e ka rrëmbyer atë.

Top Channel