Deputetët e opozitës reaguan duke hedhur gaz lotsjellës, kur u penguan të futeshin në sallën e seancave plenare të Kuvendit, për të marrë pjesë në seancën e orës 14:00.
Përveç punonjësve të sigurimit, të cilët nuk i lejuan në bazë të vendimit të Kryesisë për t’i përjashtuar deputetët opozitarë, hedhja e gazit kapi në befasi edhe ekipet televizive në korridorin e Kuvendit.
Rrezikimi i gazetarëve dhe kameramanëve ka nxitur reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, që ka kërkuar kushte mbrojtëse për gazetarët që përcjellin punimet e Kuvendit.
I gjithë aktiviteti i Kuvendit gjatë së hënës u përcoll me masa të larta sigurie dhe me kordonë policie. Në një nga kontrollet rutinë u kap në flagrancë me dy kapsolla gazi lotsjellës edhe deputeti Fisnik Ismaili, të cilit pas arrestimit iu caktua masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka arrestuar gjithashtu gjatë pasdites edhe dy deputetët opozitarë, që hodhën gazin në seancën e mëngjesit, Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Haxhi Shala i “Nismës për Kosovën”.
Policia ka sqaruar se, arrestimi i Kurteshit dhe Shalës është kryer me urdhër të prokurorit dhe se, deputetët në fjalë kanë bashkëpunuar me zyrtarët policorë gjatë arrestimit.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar shefin e sigurisë, për shkak të dështimit për ndalimin e futjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Top Channel