Seanca për llogaridhënien, Gruevski vihet në shënjestrën e deputetëve opozitarë

30/11/2015 00:00

Deputetët e opozitës e kanë pritur me akuza të rënda kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, në seancën mujore kushtuar llogaridhënies së qeverisë para të zgjedhurve të popullit.

Shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Ymer Aliu tha se, si pasojë e politikave fashiste të qeverisë aktuale, po rrezikohen jetët e mijëra shqiptarëve nga rajoni i Tetovës, nga ndotja e ajrit që ka arritur në nivele alarmante.

“Jo vetëm që nuk ka investime, por lejohet një monstër si kombinati i Jugohromit që prej vitesh të ndosë dhe të helmojë qindra e mijëra shqiptarë të Tetovës dhe rrethinave. Për pasojë, numri i të sëmurëve me tumore në Tetovë është rritur dukshëm”, tha Ymer Aliu, shef i grupit parlamentar të PDSH-së.

Kryeministri maqedonas nuk iu përgjigj këtyre akuzave. Nga ana tjetër, edhe deputeti i opozitës maqedonase, Goran Misovski përdori një gjuhë të ashpër kundër Gruevskit, për të cilin tha se po e çon vendin drejt falimentit ekonomik, duke shpenzuar për projekte luksi dhe joproduktive.

“Zoti Gruevski, juve iu intereson vetëm komoditeti juaj dhe i ministrave tuaj. Dëshiroj t’iu pyes, a është normale që të shpenzohen 600 mijë euro për një automjet të tipit Mercedes për nevojat tuaja, në një situatë kur standardi në vend ulet dhe varfëria rritet”, tha Goran Misovski, deputet i PRSD-së.

“Dëshiroj t’i bëj të ditur deputetit se, makina që përmendi ai është blerë me qëllim, që të shfrytëzohet për zyrtarët e lartë që vijnë nga jashtë, e nuk është blerë për mua”, tha Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Deputetët kërkuan llogari edhe për skandalin me letërnjoftimet e falsifikuara, që dyshohet se janë përdorur në zgjedhjet e kaluara. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski sqaroi se, bëhet fjalë për 105 letërnjoftime dhe tha se, policia është duke hetuar se kush e ka kryer falsifikimin dhe për çfarë qëllimi janë përdorur letërnjoftimet.

Top Channel