Kaosi politik në Kosovë, Kuvendi rinis seancës pa opozitën

30/11/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës, edhe këtë të hënë është mbuluar nga tymi i gazit lotsjellës, si pasojë e të cilit, Kryesia mori vendimin ekstrem për të përjashtuar opozitën nga seanca.

Deputetët e opozitës shprehën këmbënguljen për të bllokuar punën e Kuvendit, ndaj dhe anëtarët e Kryesisë ishin të prerë që t’i ndalonin ata në veprimet e tyre.

“Çështjet janë politike, edhe zgjidhja duhet të jetë politike. Me Kuvendin është duke u abuzuar, duhet ta themi publikisht, nga pafuqia, nga dredhia dhe nga dështimet jashtë Kuvendit”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Pas konferencës së Veselit, Kryesia lëshoi një komunikatë për mediet, ku konfirmoi vendimin për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës, që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit, me përjashtim të deputetëve Shukrije Bytyqi, nga “Nisma për Kosovën”, dhe Ilir Deda, nga “Vetëvendosja”.

Edhe pse deputetët e koalicionit qeveritar u bënë gati për të vazhduar seancën në sallën alternative, kryeparlamentari Veseli i ftoi deputetët, që seancën ta vazhdojnë në sallën kryesore, pasi nga ai moment deputetët e opozitës ishin të përjashtuar dhe nuk mund të lejoheshin të futeshin fare në sallë.

Në fillimin e seancës pa praninë e opozitës, Veseli tha se ata e përjashtuan vetveten me sjelljet e tyre, megjithatë, ai ftoi opozitën që pas pezullimit njëditor të kthehej në Kuvend. Por, siç deklaruan pas përjashtimit nga seanca, deputetët e opozitës kanë vendosur tashmë, që betejën ta vazhdojnë nëpërmjet protestave.

“Pas këtij zhvillimi, opozitës i mbetet vetëm një rrugë. Ajo është rruga e protestës, sepse edhe protesta është mjet demokratik, meqë demokracia u minua përfundimisht brenda institucionit më të lartë të këtij vendi, që është Kuvendi i Kosovës”, tha Aida Dërguti, deputete e Vetëvendosjes.

Deputetët e subjekteve opozitare thanë se, në ditët e ardhshme do të caktojnë edhe datën se kur do të mbahet protesta e tyre.

Top Channel