Kosovë, mblidhet sërish opozita. Reagojnë për ngjarjet e së shtunës

29/11/2015 00:00

Pas më shumë se dy orë takim me dyer të mbyllura në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, liderët e tri partive opozitare, Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, iu drejtuan mediave duke komentuar shkurt ngjarjet e së shtunës dhe nuk lejuan pyetje nga gazetarët.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se të shtunën  në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje jo e mirë, jo e drejtë, duke u sulmuar zyrat e Vetëvendosjes, diçka e paparë ndonjëherë. Me këto veprime sipas Haradinajt, Kosova po kthehet në një shtet policor ku demokracia më nuk ka kuptim.

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se vlerësimi i përbashkët i opozitës është se marrëveshjet janë anuluar nga qytetarët e republikës dhe qeveria edhe me përdorimin e gjithë arsenalit te vet e ka të pamundëshme t’i “ngjallë” këto marrëveshje.

Ndërsa, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën tha se qytetarët me prezencën e tyre fizike anuluan marrëveshjet. Ndërsa pushteti sicc tha Limaj, duke parë pjesënarrjen masive në kundërshtim të marrëveshjeve, nga nervoza shfrenoi veten duke dhunuar zyra, duke shtypur opozitarë dhe duke arrestuar deputetë.

Liderët opozitarë, pas deklarimeve kanë vazhduar sërish takimin.

Top Channel