Fitorja e 18 radhazi për Golden State Warriors

29/11/2015 13:00

Golden State Warriors ka vendosur zyrtarisht “diktaturën” e saj në NBA. Asnjë skuadër në kampionatin amerikan të basketbollit nuk ka mundur dot të gjejë një formulë për të mposhtur Warriors, që po vendos rekorde pas rekordesh, duke e shënuar emrin me shkronja të arta në historinë e këtij kompeticioni.

Viktima e radhës për Golden State u bë Sacramento Kings, të cilën kampionët në fuqi e mposhtën 120-101. I zakonshmi Curry, Thompson dhe Draymond Green morën përsipër që të mbajnë skuadrën e Warriors në serinë e fitoreve radhazi, që i jep mundësinë asaj që  të qëndrojë e qetë në krye të klasifikimin në Konferencën e Perëndimit.

Fitore shënoi edhe San Antonio Spurs, që mposhti në “AT&T Center” Atlanta Hawks me rezultatin 108-88. Skuadra teksane e dominoi totalisht ndeshjen me Hawks nga fillimi deri në fund dhe këtë e tregon edhe diferenca prej 20 pikësh në rezultatin përfundimtar të takimit. Leonard me 22 pikë, Duncan me 18 topa në tabelë dhe Toni Parker me 6 asist ishin ata që spikatën për skuadrën teksane, që vazhdon të jetë në vendin e dytë në Perëndim, me 14 fitore dhe 3 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Cleveland Cavaliers fitoi me Brooklyn Nets 90-88, Los Angeles Lakers pësoi disfatën e radhës këtë radhë ndaj Portland Trail Blazers 96-108, Dallas Mavericks mposhti Denver Nuggets 92-81, ndërsa Washington Wizards humbi ndaj Toronto Raptors 82-84.

Top Channel