Kosovë, opozita: Dhuna e shtetit policor nuk do të na ndalë

28/11/2015 00:00

Partitë e opoziës kosovare, përmes një deklarate të përbashkët kanë akuzuar drejtuesit e qeverisë për dhunën që pasoi protestën paqësore të mbajtur këtë të shtunë në Prishtinë.

“Pjesëmarrja e mbi 35.000 qytetarëve në manifestimin për vendin shkoi paqësisht, siç ishte planifikuar. Por ky pushtet me sjelljet e tij, menjëherë pas tubimit paqësor, dëshmoi se nuk e duron opozitën paqësore. Ky pushtet ka frikë nga opozita. Ky pushtet e urren opozitën, ashtu siç urren qytetarët, ashtu siç urren popullin e vet”, thuhet në deklaratë.

Opozita akuzon atë që e quan “qeveri kriminale”, që sipas saj zgjodhi 28 Nëntorin e vitit 2015 për të ringjallur në rrugët e Prishtinës imazhin e dhunës policore, “që populli ynë kujtoi se e kishte lënë pas, me mbarimin e Luftës Çlirimtare”, vijon deklarata.

“Në 28 nëntor, qindra policë, reparte speciale të armatosura rëndë e të maskuara kanë thyer zyrat e subjektit më të madh opozitar, lëvizjes Vetëvendosje, ku ndodheshin qindra aktivistë që sapo ishin kthyer prej manifestimit. Policia u tregua e e pamëshirshme, duke përdorur dhunë të paparë kundër aktivistëve. Ka rreth 100 të arrestuar dhe numri i të lënduarve rëndë është i madh”, denoncon më tej opozita e bashkuar, e cila kritikon sërish marrëveshjet me Serbinë.

“Në 28 nëntor 2015 u arrestua Albin Kurti. Pushteti u tregua i gatshëm të përdorë dhunën më ekstreme për të mbrojtur Zajednicën e Demarkacionin, pavarësisht peticionit, pavarësisht aksioneve opozitare, pavarësisht manifestimit paqësor”, thuhet në deklaratë.

Opozita i ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen me të dhe ka paralajmëruar se aksionet e saj nuk do të ndalen. “Aktivistët do të lirohen. Dhunuesit do të vihen shumë shpejt përpara një drejtësie të vërtetë dhe funksionale, në një Republikë që ka për të qenë vërtet sovrane dhe pavarur”, përfundon deklarata.

Top Channel