Partizani vazhdon në krye, Vllaznia dhe Bylisi rikthehen te 3-pikëshi

28/11/2015 00:00

Patizani mposhti këtë javë 0-1 Kukësin dhe vazhdon të ecë i pashqetësuar drejt titullit kampion, që i mungon që prej 23 vjetësh.

Të kuqtë e Starovës kanë triumfuar në Kukës përballë një skuadre e cila këtë ndeshje u drejtua nga Klodian Duro.

Goli i Mazrekajt në gjysmën e pjesës së parë vulosi fitoren e 10 të Partizanit, skuadra e vetme në Superligën tonë e cila nuk ka asnjë humbje deri tani.

Vazhdon me triumfe edhe Teuta e Gugash Maganit, e cila këtë fundjavë mundi 0-1 Tërbunin duke regjistruar fitoren e katër radhazi.

Ka mjaftuar goli i Artur Maganit që skuadra durrsake të dilte me 3 pikë nga një fushë e cila ishte tejet e rënduar për shkak të kushteve atmosferike.

Tashmë Teuta ngjitet në kuotën e 26 pikëve, 2 më pak se Skënderbeu i vendit të dytë, që do të luajë të hënën me Tiranën.

Me rezultatin minimal 1-0 ka fituar edhe Bylisi ndaj Laçit, skuadër që vazhdon të ketë probleme në ndeshjet në transfertë.

Hyshmeri me golin e tij i dha fitoren e dytë ballshiotëve dhe njëkohësisht e largoi nga 2 vendet e fundit në klasifikim.

Ka marrë 3-pikëshin e dytë në kampionat edhe Vllaznia e cila shkatërroi 4-0 Flamurtarin, fitore kjo që vjen pas 42 ditësh.

Çinari me dy golat e tij ishte dhe protagonisti i triumfit të skuadrës shkodrane, ndërkohë që golat e tjerë u shënuan nga Çiçmil dhe Sefa.

Top Channel