Lavezzi i shkel syrin skuadrave të Serisë A

28/11/2015 00:00

Ezequiel Lavezzi u jep një mesazh të fortë e të qartë klubeve të Serisë A që duan shërbimin e tij. Futbollisti argjentinas që është pjesë e Paris Saint Germain, në një intervistë për të përditshmen “Gazzetta dello Sport” nuk e ka fshehur nostalgjinë për Italinë.

“Më mungon Italia e sidomos futbolli i këtij vendi. Ndoshta nuk është më ai që ka qenë dikur, por gjithsesi është i bukur për ta përjetuar e për ta luajtur. Napoli është një qytet i veçantë. Këtu sikurse dhe në të gjithë Italinë, ky sport përjetohet me një intensitet të lartë dhe gjenden stimuj akoma më të mëdha. Në Francë jetohet në një mënyrë tjetër, as më mirë e as më keq se në Itali; e shijon futbollin, por jeta është ndryshe”, tha Lavezzi

Ditën e hënë do të luhet sfida mes Napolit dhe Interit, por Lavezzi preferon të mos bëjë asnjë dallim mes skuadrave.
“Dua që te një ndeshje e bukur dhe besoj se Napoli-Inter e tillë do të jetë. Napoli po luan shumë mirë dhe ky vit është i duhuri për këtë skuadër që të fitojë titullin kampion. Futbollistët e dinë shumë mirë këtë. Por edhe Interi i ka shanset e tij për të triumfuar në Serinë A”, shtoi Lavezzi.

Në gjurmët e Lavezzit janë vënë shumë klube ku nuk mungojnë ato italiane. Megjithatë, argjentinasi ende nuk e ka vendosur se çfarë do të bëjë pas përfundimit të aventurës së tij te Paris Saint Germain.

“Kam ende shumë muaj në dispozicion për të marrë një vendim. Mundësitë dhe opsionet për mua nuk mungojnë. Do të jetë kontrata ime e fundit dhe interesim im është që të shkoj të luaj në një skuadër që më jep stimuj, por pa harruar të shoh edhe qytetin dhe stilin e jetës aty”, deklaroi argjentinasi.

Top Channel