NBA, Golden State nuk njeh humbje

28/11/2015 00:00

Golden State vazhdon të shkruajë historinë në NBA. Skuadra e Warriors nuk di ta njohë shijen e humbjes dhe këtë ajo e vërtetoi edhe  në sfidën me Phoenix, të cilën e mundi 135-116 duke regjistruar fitoren e 17 radhazi duke vendosur edhe një tjetër rekord historik në kampionatin amerikan të basketbollit me 22 gjuajtje të sakta nga distanca e 3 pikëve.

Stiven Kërri sërish u ngjit në piedestal në këtë ndeshje të cilën e mbylli me 41 pikë personale, shifër kjo që duket normale për këtë basketbollist.

Fitore shënoi edhe Cleveland Cavaliers që mposhti Charlotte 95-90 duke nxjerrë inatin e disfatës me Toronton. LeBron James ishte në një ditë të mirë pasi ishte ai që e udhëhoqi skuadrën nga Ohio drejt fitores së 12 sezonale me 25 pikë të shënuara dhe 13 topa në tabelë.

Mbrëmje fantastike kaloi dhe James Harden që në Toyota Center shënoi 50 pikë personale për të ndihmuar Houston të mposhtë Filadelfian 116-114 duke bërë që skuadra e 76-ers të shënojë rekordin më negativ në historinë e NBA me 27 humbje radhazi ku përfshihetn edhe 10 disfatat radhazi të sezonit të kaluar.

Në Pepsi Center, San Antonio mundi Denver 91-80 për të forcuar vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit me 13 fitore dhe 3 humbjë, ndërsa Minnesota mposhti Sakramenton 101-91.

Top Channel