Refugjatët, përkeqësohet situata në kufirin greko-maqedonas

27/11/2015 00:00

Qindra marokenë, algjerianë dhe pakistanezë u përpoqën të sulmojnë forcat policore në kufirin midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në fshatin Idomeni, 86 km larg Selanikut, duke kërkuar të kalojnë me forcë gardhin me tela me gjemba, që pengon rrugën e tyre drejt vendeve të Europës veriore.

Konfrontimet kanë filluar, pak pasi mbi 1500 emigrantë janë bllokuar në një zonë neutrale, pas vendimeve të disa shteteve europiane për seleksionimin e refugjatëve, duke pranuar vetëm ata që vijnë nga Siria, Afganistani dhe Iraku.

Pas grevës së urisë, që kanë nisur disa ditë më parë disa prej emigrantëve iranianë, duke qepur madje edhe buzët e tyre, qindra të tjerë, tashmë të irrituar me qëndrimin dhe pritjen në mes të të ftohtit dhe shiut, kanë qëlluar me gurë dhe shishe mbi forcat policore, duke shkatërruar gardhin me tela me gjemba.

Emigranët që flasin për mediat e huaja dhe ato vendase kërkojnë që të informohen udhëheqësit europianë se, qindra vetë po torturohen në kufirin greko-maqedonas dhe se duhet gjetur sa më shpejt një zgjidhje për ta.

Përveç pikës kufitare të Idomenit në Greqi, mijëra emigrantë të bllokuar ka edhe në dy shtetet e tjera ballkanike, si Kroacia dhe Serbia.

Unioni grek për të Drejtat e Njeriut i kërkon Athinës zyrtare të lehtësojë kushtet dramatike të këtyre njerëzve. Aktivistët i kanë kujtuar qeverisë se, Greqia tashmë nga vend tranzit po rikthehet në vend pritës dhe ky fakt duhet marrë parasysh.

Ashtu siç ka bërë vërejtje edhe Komisioni Europian për çështjen e krizës së refugjatëve, shumica e shteteve europiane nuk po tregojnë solidaritet dhe, si rezultat, vetëm 148 refugjatë janë zhvendosur nga Italia dhe Greqia në vendet e tjera të bllokut, ndërsa në shtator krerët e tij kanë rënë dakord për transferimin e 160 mijë emigrantëve në vendet anëtare të BE.

Ndërkohë, 6 fëmijë të tjerë kanë humbur jetën në detin Egje, mëngjesin e së premtes, kur dy varka me dhjetëra refugjatë nga Siria dhe Afganistani, me destinacion ishujt grekë të Kosit e Lesbosit janë mbytur pranë brigjeve turke.

Top Channel