Prishtinë, organizohet për të dytin vit panairi “Blej Shqip”

27/11/2015 00:00

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, hapi panairin tradicional “Blej Shqip” në Prishtinë.

Panairi organizohet për nder të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, dhe në të do të ekspozohen për tri ditë prodhime nga të gjitha trevat shqiptare.

Gjatë ditës së premte, panairin e vizituan ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, dhe drejtori për Zhvillimin Ekonomik në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota.

Ambasadori Minxhozi tha se, këtë vit është shënuar rritje në marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“E veçanta e këtij viti është se, shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë pësuar një rritje të dukshme, teksa mendohet që deri në fund të vitit të arrihet një shifër prej 200 milionë eurosh shkëmbime produktesh, 20 milionë euro më tepër se vitin e kaluar, çfarë tregon se ka një intensitet të rritjes së marrëdhënies ekonomike”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

“Këtë vit kemi rreth 80 kompani prej të gjitha trojeve, të cilët janë prodhues të produkteve shqiptare dhe synojmë që ky panair të jetë tradicional. Sa më shumë produkte kombëtare që konsumojmë, aq më shumë do ta fuqizojmë kombin tonë”, tha Genc Bashota, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prishtinës.

Prodhuesit nga treva të ndryshme shqiptare janë shprehur të kënaqur me organizimin e panairit “Blej Shqip”, duke qenë se nuk mungon interesimi për blerjen e produkteve shqiptare.

“Panairet janë të shumta, por panairi ‘Blej Shqip’ është nga më të veçantat. Ne e vlerësojmë këtë panair, sepse është mbarëkombëtar, nga të gjitha trevat shqipfolëse. Shumë të interesuar janë, sepse të gjitha produktet janë shqiptare”, tha Dallëndyshe Tabaku, prodhuese nga Kruja.

“Jam i kënaqur dhe, pavarësisht kohës që nuk është në favorin tonë, ka vizitorë dhe ka interesim, sepse vet festa e tillë i bën konsumatorët që të blejnë këto lloje artizanatesh me motive kombëtare”, tha Ramiz Hajdari, prodhues nga Ulqini.

Panairi “Blej Shqip” organizohet për herë të dytë në Prishtinë dhe ka për qëllim nxitjen e konsumatorëve për blerjen e produkteve shqiptare. Ndërkohë, me hapjen e këtij panari nisin edhe aktivitetet zyrtare të Komunës së Prishtinës për festën e flamurit kombëtar.

Top Channel