Përkujtohet dita e krijimit, FSK hap kazermat. Jahjaga: Së shpejti me ushtri

27/11/2015 00:00

Në ditën e themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në prag të festës kombëtare të 28 Nëntorit, kazerma e FSK-së është hapur për të gjithë qytetarët, që dëshirojnë të vizitojnë repartet e saj ushtarake.

Përveç nxënësve dhe qytetarëve, kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë e vizitoi edhe Presidentja Atifete Jahjaga, e cila u njoh nga afër me kapacitetet e FSK-së.

Edhe në ceremoninë e këtij viti, Presidentja Jahjaga u shpreh e bindur se, Kosova do të ketë shumë shpejt ushtrinë e saj.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, jo vetëm nga ajo që pamë sot, por dhe nga niveli i gatishmërisë e përgatitjes së tyre profesionale, edhe nga aspekti i pajisjeve të tyre, tregon gatishmëri. Ne jemi në proces e sipër të transformimit të mëtejshëm të FSK-së dhe, shumë shpejt, Kosova do të hyjë në një marrëveshje speciale me NATO-n, për transformimin e mëtejshëm të kësaj force në ushtri”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, thanë se FSK-ja është e gatshme për t’u bërë ushtri. FSK, zyrtarisht është themeluar më 27 nëntor 2009, kur u bë transforimimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, një formacion i dalë pas çarmatosjes së UÇK-së.

Përveç aktiviteteve në Prishtinë, në nder të flamurit kombëtar, krerët më të lartë të shtetit kanë qëndruar edhe në vendlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, ku kanë bërë homazhe në kompleksin memorial.

Vizita e krerëve shtetëror në Prekaz, përveç se bëhet për të nderuar vendin ku filloi lufta e UÇK-së, bëhet gjithashtu për të nderuar ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, i cili u lind më 28 nëntor.

Në emër të familjes së komandantit legjendar, Rifat Jashari ka falënderuar krerët shtetërorë për nderimet e tyre, ndërsa i ka ftuar të jenë bashkë, për të ndërtuar dhe forcuar shtetin e Kosovës.

Top Channel