Ferrari mbron rinovimin e Raikkonen

26/11/2015 00:00

Shefi i skuadrës Ferrari, Maurizio Arrivabene ka mbrojtur vendimin e skuadrës kokëkuqe për rinovimin e kontratës me finaldezin Kimi Raikkonen edhe për vitin 2016. Sipas tij prezenca e Kimit në skuadrën ka ruajtur shumë ekuilibra dhe ka treguar se ka punuar shumë.

“Nëse do të kishim zëvendësuar Kimin me një tjetër pilot do të ishte një gabim shumë i madh për Ferrarin. Kimi ka sjellë shumë ekuilibra brenda skuadrës”, shpjegoi Arrivabene.

“Mendoj se ai e ka shtyrë Vettel për më shumë dhe kjo është vërtetë e rëndësishme. Këtë sezon Kimi është gjendur në disa situata që mund të quhen ‘fat i keq’ për të, por unë mund të garantoj që ai punon vërtetë shumë”, pohoi Arrivabene.

E ardhmja e finladezit ka qenë në dyshim në fillimin e këtij sezoni, teksa i duhej të mbante ritmin e shokut të skuadrës, Sebastian Vettel, ky i fundit në vitin e tij të parë te Ferrari.

Raikkonen ka grumbulluar 135 pikë gjatë këtij sezoni, kundrejt 266 të Vettel, që ndër të tjera ka fituar 3 gara dhe është ngjitur gjithashtu 10 herë në podium. Në anën tjetër, Raikkonen nuk ka fituar asnjë garë dhe është ngjitur në podium vetëm 2 herë.

Por, kjo nuk është hera e parë që Raikkonen dështon në përballjen me shokun e skuadrës, pasi në të njëjtën situatë ishte edhe një vit më parë me spanjollin Fernando Alonso.

Top Channel