Blatter: Komisioni i Etikës si inkuizicion

26/11/2015 00:00

Sepp Blatter shfaqet sërish në media për të mbrojtur reputacionin e tij, tashmë të njollosur nga përfshirja në hetimet për korrupsioninn në FIFA.

Kreu i këtij institucioni që është i pezulluar për 90 ditë deklaroi se e gjithë kjo histori është si një përndjekje për të.

“Si një kristian i mirë, duhet të them se ajo çfarë po bën Komisioni i Etikës me mua është si një inkuizicion. Nuk jam unë ai që duhet të vërtetojë pafajësinë e tij, por nuk jam një njeri i keq”, tha Blatter.
  
Blatter është vënë në qendër të hetimeve nga prokurorët zviceranë për pagesën prej 1.8 milionë eurove që ai kreu për llogari të Platini, ndërkohë që kjo çështje është hetuar edhe nga vetë FIFA që do të marrë një vendim muajin e ardhshëm.

Mësohet se Komisioni i Etikës ka kërkuar pezullim të përjetshëm për kreun e UEFA, por ende nuk është prononcuar për Blatter.

Ndërkaq, mësohet se organet e drejtësisë në vendin helvet kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në ligjin për sekretet e bankave të këtij vendi me qëllim kërkimin e provave për akuzat ndaj zyrtarëve të FIFA-s që u arrestuan në muajin maj të këtij viti.

Top Channel