Mustafa pritet nga homologu i Bavarisë, në fokus ekonomia dhe azilkërkuesit

26/11/2015 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa është pritur të enjten nga kryeministri i landit të Bavarisë, Horst Seehofer, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami; ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci; si dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Në konferencën për mediat, të dy kryeministrat kanë shprehur përkushtimin e dyanshëm për bashkëpunimin ekonomik.

Kryeministri i Bavarisë, Seehofer bëri të ditur se, gjatë takimit është biseduar për mundësinë e lëvizjes së kosovarëve, mundësinë e punësimit të tyre në Gjermani dhe se, në cilat drejtime mund të zhvillohet ky punësim dhe kjo lëvizje.

Sa i përket çështjes së emigrimit të kosovarëve, kryeministri Seehofer tha se, kryeministri Mustafa e ka shprehur në mënyrë shumë të qartë, që Kosova është një vend i sigurtë i origjinës.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, Qeveria e Kosovës përkrah plotësisht masat që Bavaria ka marrë në kthimin e qytetarëve të Kosovës, që kanë shkuar atje për të kërkuar azil.

“Kthimin e tyre e konsiderojmë shumë të drejtë dhe të nevojshëm. Ne do të marrim masa, që të bashkëpunojmë në fushën e ekonomisë, në mënyrë që të sigurojmë parakushte, që njerëzit ta kenë perspektivën në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke ftuar kryeministrin Seehofer të vizitojë sa më shpejt Kosovën.

Top Channel