Alonso: McLaren ka nisur punën për 2016-n

26/11/2015 00:00

McLaren e ka nisur prej kohësh punën për ndërtimin e makinës për Botërorin e Formula 1 të vitit 2016. Kjo është ajo që ka deklaruar Fernando Alonso në prag të Çmimit të Madh të Abu Dhabit që është gara përmbyllëse e kampionatit të këtij viti.

Piloti spanjoll tha problemet e hasura gjatë këtij viti e kanë bërë McLaren që të mendojë vetëm për Botërorin e ardhshëm.

“Nuk ka të ngjarë që në garën e fundit ne të bëjmë përmirësime të ndjeshme. Gjatë botërorit të këtij viti ne kemi mundur të hyjmë në zonën e pikëve 3-4 herë, kështu që të marrja e 10 pikëve në Abu Dhabi për të kaluar Sauber në renditjen për konstruktorë është pothuajse e pamunduir. Ne do të përpiqemi që në Jas Marina të japim maksimumin tonë, por e vërteta është se ne po mendojmë për projektin e vitit 2016”, tha piloti spanjoll.

Alonso pranoi se, pavarësisht punës që po bëhet dhe optimizmit të shfaqur për një përmirësim të McLaren-Honda vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ku do të jetë kjo skuadër.

“Të gjithë duan të shohin se deri ku do të shkojë McLaren dhe ka shumë pritshmëri për ne. Kemi punuar shumë gjatë këtij sezoni me synimin për të ecur përpara. Është e qartë se synimi ynë për 2016-n është të jemi sërish kompetitivë dhe të luftojmë për vendet e para në garat e Formula 1”, tha Alonso.

Top Channel