Ekstremizmi islamik, Veseli ashpërson tonet ndaj terroristëve

26/11/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ashpërson tonet kundër ekstremistëve islamikë që i bashkohen ISIS-it në Siri.

Duke folur në një intervistë për televizionin publik kosovar “RTK”, Veseli tha se populli i Kosovës, së bashku me institucionet përgjegjëse nuk do të lejojnë, që maskarenjtë, kriminelët dhe terrorristët të prishin besimin te Zoti dhe raportet brenda shqiptarëve, pasi vëllezërit tanë janë edhe shqiptarët katolikë e ortodoksë.

“Ne kemi qytetarë të jashtëzakonshëm. Populli ynë ka pjekuri të jashtëzakonshme dhe ndonjëherë është më i pjekur sesa klasa politike. Unë kam besim të jashtëzakonshëm. Kam besim te qindra besimtarë, tek ata imamë dhe te qindra e mijëra njerëz, që janë të besimit mysliman”, ka thënë kreu i Parlamentit kosovar.

“Institucionet treguan sukses të madh me reagimin e tyre, aty ku ka pasur fenomene të tipit vehabist, që të mos ngatërrohet besimi me vagabondë dhe kriminelë, të cilët mundohen ta përdorin Islamin për kauzat e tyre politike. Institucionet do të jenë edhe më vigjilente, e duhet të vazhdojnë të kryejnë punën edhe më mirë, gjithnjë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare në luftën botërore kundër terrorizmit, që të mos lejojnë ‘vezët e djallit’ të përhapen në Kosovë”, tha Veseli në “RTK”.

I pyetur për numrin e qytetarëve të Kosovës, që luftojnë në Siri dhe Irak, ai tha se, gjithsesi ai nuk është numër i madh dhe ftoi familjarët e tyre të bashkëpunojnë me shtetin, për të mirën e vendit.

“Nuk është një numër shumë i madh. Janë disa individë të shtyrë, të manipuluar, por mund të ketë prej tyre edhe persona vërtet të rrezikshëm. Ftoj familjarët e tyre të bashkëpunojnë me institucionet dhe shtetin, në mënyrë që të mbrohemi sa më mirë prej këtij fenomeni”, tha kryeparlamentari Veseli.

Top Channel