Limaj, nis procesi gjyqësor. Trupi gjykues me shumicë nga EULEX-i

26/11/2015 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka nisur procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomit në Kosovë, Fatmir Limaj dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij, të cilët dyshohen për disa vepra korruptive gjatë punës së tyre në qeveri.

Trupi gjykues vendosi që, më 3 dhjetor, prokurorët e EULEX-it të lexojnë aktakuzën e bashkuar në dy rastet e mëparshme ndaj Limajt dhe të tjerëve.

Fatmir Limaj dhe kolegët e tij do të gjykohen nga një panel, që kryesohet dhe përbëhet nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar vendas, edhe pse avokatët mbrojtës kërkuan me ngulm, që paneli të përbëhet nga dy gjyqtarë vendas dhe një ndërkombëtar.

“Qëndrimi im juridik është që kjo situatë, në rastin konkret në këtë gjykim, lidhur me përbërjen e trupit gjykues, duhet të qartësohet nga Gjykata Supreme. Mendoj se është më e përshtatshme, që ky gjykim të ndërpritet derisa të marrim një mendim juridik prej Gjykatës Supreme”, tha Arianit Koçi, avokat.

Kërkesa e avokatëve, pasi u shqyrtua nga trupi gjykues gjatë një pushimi të shkurtër, u hodh poshtë.

“Ne i kemi vlerësuar të gjitha argumentet e shtruara nga ekipi mbrojtës, si përfaqësues të të pandehurve. Parashtrimi juaj është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Po iu them edhe njëherë, atë që iu sqarova më parë se, kjo është një çështje në vazhdimësi dhe rasti ka filluar para muajit prill 2014 dhe do të jetë i gjykuar nga paneli me shumicë  gjyqtarësh të EULEX-it”, tha Maria Tuma, gjyqtare e EULEX.

Prokurori i EULEX-it në këtë rast, Paul Flynn ka kërkuar që t’i rezervohet një orë e gjysmë kohë, për të paraqitur aktakuzën ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

Në këtë proces gjyqësor, prokurori tha se i kanë të gatshëm rreth 30 dëshmitarë, ndërsa edhe pala mbrojtëse ka parashikuar të thërrasë dëshmitarët e saj.

“Trupi gjykues caktoi seancat, që do të zgjasin pothuajse deri në fund të janarit 2016. Është një proces i gjatë, ka numër të madh dëshmitarësh të propozuar nga ana e prokurorit në aktakuzë. Sidoqoftë, edhe mbrojtja ka dëshmitarët e saj, të cilët i kemi propozuar edhe në fazat e mëhershme”, tha Tahir Rrecaj, avokat.

Aktakuzat ndaj ish-ministrit Fatmir Limaj janë ngritur në vitin 2012, ndërsa pas tri viteve hetime, Prokuroria Speciale ka vendosur që dy rastet e ndara ndaj Limajt dhe të tjerëve të bashkohen në një aktakuzë të përbashkët.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Limaj dhe të tjerët akuzohen për “krime të organizuara”, “shpërdorim detyre”, “marrje dhe dhënie ryshfeti”, si dhe vepra të tjera penale.

Top Channel